Fibrilacioni Atrial: Simptomat, Shkaqet dhe Trajtimi
Fibrilacioni Atrial
Është forma më e zakonshme e aritmisë. Prek më shumë të moshuarit, personat me tension të lartë të gjakut dhe ata që vuajnë nga sëmundje të tjera të zemrës. Mjekët shpjegojnë se fibrilacioni atrial mund të shkaktojë stroke cerebral (infarkt), keqfunksionim dhe insuficiencë kardiake.
Fibrilacioni atrial ndodh kur impulset elektrike që bëjnë që zemra të rrahë në mënyrë të rregullt bëhen të çorganizuara, duke bërë që zemra të rrahë në mënyrë të çrregullt ose shumë shpesh, shumë shpejt dhe me pak forcë. Pulsi i çrregullt mund të ndihet ose mund të shihet në një elektrokardiogramë.
Një elektrokardiogramë (EKG) është një regjistrim i aktivitetit elektrik të zemrës që kryhet me anë të elektrodave (përçuesve elektrikë) të vendosur në sipërfaqen e lëkurës, zakonisht në secilin krah dhe këmbë dhe në kraharor.
Ndryshimet në EKG
Në një EKG normale, aktiviteti elektrik i zemrës paraqitet me disa devijime (komplekse të ndryshme) me ritme të rregullta. Te një person me fibrilacion atrial, devijimet nuk janë të rregullta dhe shpesh janë të afërta njëra me tjetrën, gjë që tregon një rrahje zemre të shpejtë.
Fibrilacioni atrial ul efikasitetin e pompimit të zemrës. Gjithashtu rrit rrezikun për mpiksjen e gjakut brenda zemrës. Copëza gjaku të mpiksura mund të shkëputen dhe të shkojnë në zona të tjera të trupit, përfshirë trurin, ku mund të shkaktojnë stroke cerebral (infarkt).
Simptomat
Disa persona me fibrilacion atrial mund të mos kenë simptoma. Të tjerë raportojnë një ndjesi të rrahurave të zemrës, ose mund të kenë shqetësim në gjoks dhe marramendje. Disa persona zhvillojnë një vështirësi të menjëhershme dhe të rëndë të frymëmarrjes.
Trajtimi
Dy gjërat më të rëndësishme të trajtimit janë ngadalësimi i frekuencës së rrahurave për të përmirësuar funksionin e pompimit të zemrës dhe përdorimi i ilaçeve antimpiksje për të parandaluar stroke.
- Beta-bllokuesit dhe bllokuesit e kalciumit janë ilaçe që ngadalësojnë frekuencën e zemrës.
- Warfarin dhe aspirina janë hollues të gjakut. Warfarin është më efikas në parandalimin e stroke, por mund të shkaktojë gjakderdhje dhe kërkon një monitorim të kujdesshëm.
- Kardioversioni elektrik është një procedurë që mund të rikthejë ritmin e rregullt te pacientët me simptoma të rënda. Pacientit i kryhet anestezi dhe i jepet një shkarkim elektrik në zemër.
- Procedura të tjera përfshijnë kirurgjinë ose përdorimin e një kateteri (tub që vendoset në zemër me anë të enëve të gjakut), dhe përdoren për individët me simptoma të rënda.